Kursi i Euros në minimum të ri historik, drejt kufirit të 96 lekëve
Monedha europiane këmbehet me 96.19 lekë, ndërsa oferta e lartë valutore shton presionin në treg.
Kursi i këmbimit Euro-Lek ka shënuar një tjetër rënie në fillim të muajit mars, duke prekur nivelin më të ulët historik. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 96.19 lekë, duke iu afruar kufirit të 96 lekëve. Aktorët e tregut raportojnë se oferta e euros mbetet e bollshme, madje mbi nivelet tipike të tremujorit të parë.
Eksportet e energjisë si faktor shtesë
Një element që këtë vit duket se ka ndikuar në rritjen e flukseve valutore është eksporti i energjisë elektrike. Prurjet e favorshme hidrike kanë rritur prodhimin në dy muajt e parë të 2026-ës, ndërsa Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka zhvilluar ankande për shitjen e energjisë, duke sjellë më shumë euro në treg.
Turizmi me ritëm më të moderuar
Ndonëse turizmi ka qenë burimi kryesor i hyrjeve valutore vitet e fundit, në janar u regjistrua një rënie vjetore prej 1.5% e hyrjeve të shtetasve të huaj. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se sektori po fiton qëndrueshmëri gjatë gjithë vitit, falë zgjerimit të turizmit mjekësor dhe formave të tjera specifike të vizitave.
Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë
Burime nga tregu bankar bëjnë të ditur se Banka e Shqipërisë po vijon blerjet e euros për të frenuar rënien e kursit. Për nëntë muajt e parë të vitit 2025, banka ka blerë 825.6 milionë euro, niveli më i lartë historik për këtë periudhë dhe 52.2% më shumë se një vit më parë. Për vitin 2026 synohet blerja e 330–450 milionë eurove përmes ankandeve, me objektiv rritjen e rezervës valutore.
Pavarësisht ndërhyrjeve, presioni nga oferta e lartë valutore po e mban kursin në trajektore rënëse, duke krijuar një situatë të re për eksportuesit dhe importuesit në ekonominë vendase.